Përmbytje në Kosovë: Komunat e prekura dhe raporti i AME-së

Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka bërë publike përditësimin mbi gjendjen e krijuar nga reshjet gjatë natës, për periudhën nga ora 22:00 deri më 08:00 të datës 11 janar, duke informuar për situatën e rrugëve dhe lumenjve në Kosovë.

Në Prishtinë, vërshimet u shfaqën në rrugën e Qagllavicës dhe në nënkalimet drejt Obiliqit, kryesisht për shkak të kanalizimeve të bllokuara. Fushë Kosova raportoi probleme në Lismir, Kuzmin dhe Sllatinë e Madhe.

Ndërkohë, në Mitrovicë, rreziku i përmbytjes nga lumi Sitnica në lagjen “2 Korriku” u menaxhua me ndërtimin e një muri mbrojtës prej rreth 200 metrash me thasë zalli, falë bashkëpunimit të AME-së dhe NJPZSH Mitrovicë Jugore. Në Ferizaj, pesë vërshime u raportuan në fshatrat Prelez, Mohoc, Tërrnë dhe Balaj, duke shkaktuar evakuimin e dy personave të moshuar.

Në rajonet e tjera si Lipjan, Podujevë dhe Prizren, situata mbetet e qëndrueshme. Reshjet e borës kanë ulur rrezikun e vërshimeve, ndërsa kujdesi për të evakuuarit vazhdon.

Autoritetet e AME-së janë në gatishmëri të plotë dhe kërkojnë nga qytetarët të ndjekin udhëzimet dhe të jenë të kujdesshëm.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *