Përplasja Mes Lulzim Pecit dhe Prindon Sadriut Eskalon: “Mos Gënje”, “A Nuk Ndjen Turp?”

“Prandaj, nuk duhet të mashtrohemi nga iluzioni i fotografive në New York, sepse përfaqësuesit e establishmentit shtetëror të Kosovës nuk kanë pasur asnjë takim zyrtar bilateral me Administratën e SHBA-ve”. Kjo deklaratë e ish-diplomatit, Lulzim Peci, shkaktoi reagimin e Zotëriut të Parë, Prindon Sadriu, i cili kaloi në një debat.

Sadriu, përmes një komenti në postimin e Pecit në ‘Facebook’, i tha “mos gënje” dhe theksoi se janë zhvilluar disa biseda formale me shumë përfaqësues të administratës amerikane nga ana e establishmentit kosovar.

“Mos gënje, janë bërë disa takime dhe biseda formale me shumë përfaqësues të Administratës, përfshirë edhe vetë Presidentin Trump”, deklaroi Sadriu.

Peci iu përgjigj Sadriut duke e quajtur “përfitues të pavlerë”.

“Si nuk të vjen turp! Me këtë edhe vetë po dëshmon se nuk je as më pak dhe as më shumë se një përfitues i pavlerë! Ti e di shumë mirë çfarë është një takim zyrtar, dhe nëse nuk e di pas kaq vitesh në diplomaci, atëherë është edhe më keq! Mjerim”, i tha Peci Sadriut.

Peci në postimin e tij bëri një krahasim mes liderëve të Malit të Zi dhe Kosovës, duke përmendur se Milo Gjukanoviq, pavarësisht se nuk ishte njohës i mirë i gjuhës angleze, arriti ta anëtarësonte vendin e tij në NATO. Ndërsa, shtoi se udhëheqësit aktualë, pavarësisht se janë njohës të mirë të anglishtes, “nuk po arrijnë të realizojnë qëllimet”.

“Prandaj, nuk duhet të mashtrohemi nga iluzioni i fotografive në New York, sepse përfaqësuesit e establishmentit shtetëror të Kosovës nuk kanë pasur asnjë takim zyrtar bilateral me Administratën e SHBA-ve”, tha ndër të tjera ai, duke iu referuar takimeve të presidentes Osmani dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në SHBA./Insajderi.org/Veriu.info


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *