Një spital i ri gjinekologjik pritet të ndërtohet në Prishtinë, si rezultat i një donacioni prej 25 milionë eurosh nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ambasadori i Kosovës në Abu Dhabi, Xhabir Hamiti, njoftoi për këtë zhvillim pas një takimi me Noura Al-Gaithi, Zëvendëssekretare e Departamentit të Shëndetësisë në Abu Dhabi. Ai theksoi se ky projekt është rezultat i një marrëveshjeje mes presidentes Vjosa Osmani dhe institucioneve të Emirateve.
Përveç spitalit të ri në Prishtinë, Departamenti i Shëndetësisë i Abu Dhabit planifikon të rinovojë dhe pajisë me teknologji të re Spitalin Sheikh Zayed në Vushtrri, për një shumë prej 7.5 milionë euro. Ky investim është pjesë e bashkëpunimit të vazhdueshëm mes dy vendeve.
Këshilltarja e presidentes Osmani, Learta Hollaj, shprehu kënaqësinë për realizimin e projektit, duke falënderuar Presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, për mbështetjen dhe angazhimin e tij në këtë bashkëpunim të rëndësishëm.

Leave a Reply