Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se Policia e Kosovës, në bashkëpunim me forcat e KFOR-it, ka zbuluar një sasi të konsiderueshme detonatorësh në veri të vendit.
Kjo gjetje, sipas tij, është dëshmi e përpjekjeve të vazhdueshme të Serbisë për të realizuar sulme terroriste në territorin kosovar përmes grupeve kriminale dhe terroriste. Në afërsi të fshatit Gnjezhdan të Leposaviqit, janë identifikuar dhjetë detonatorë me fitila, që dyshohet se do të përdoreshin për aktivitete terroriste.
Sveçla theksoi se prania e forcave të sigurisë në veri ka qenë kyçe në parandalimin e këtyre veprimeve, duke neutralizuar rreziqet potenciale. Ai nënvizoi se lufta kundër krimit të organizuar dhe kërcënimeve terroriste do të vazhdojë pa ndërprerje.
Sveçla deklaroi se institucionet e Kosovës janë të vendosura për të siguruar kushtetutshmërinë, ligjshmërinë dhe drejtësinë, duke u angazhuar kundër çdo celule kriminale dhe mafioze. Hetimet për rastin janë ende në zhvillim, por konsiderohet një nga kapjet më të rëndësishme të kohëve të fundit.

Leave a Reply