Policia e Kosovës Asgjëson Mijëra Armë Ilegale për Një Kosovë më të Sigurt – Rreth 36,000 të Konfiskuara që nga 1999

Sot në Kosovë, Policia organizoi një ceremoni për shkatërrimin e armëve të vogla dhe të lehta që mbahen ilegalisht. Kjo ceremoni u zhvillua në ambientet e kompanisë Metal 05 SH.P.K., pranë fshatit Prelez, në magjistralen Prishtinë–Ferizaj.

Në këtë ngjarje ishin pjesëmarrës Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, përfaqësuesi i përhershëm i UNDP-së në Kosovë, Nuno Queirós, zyrtarë të Zyrës së BE-së, ambasadave të vendeve partnere dhe zyrtarë të lartë institucionalë.

Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të Programit të Sigurisë së Kosovës (KSSP), mbështetur nga UNDP dhe partnerët ndërkombëtarë, duke përfshirë projektin rajonal IPA që synon të luftojë posedimin e paligjshëm dhe trafikimin e armëve të vogla në Ballkanin Perëndimor.

Kolonel Gazmend Hoxha, Drejtori i Policisë, deklaroi se procesi i shkatërrimit të armëve ilegale është një përpjekje e vazhdueshme në bashkëpunim me vendet partnere dhe miqësore.

“Armët ilegale krijojnë pasiguri. Ne u bëjmë thirrje qytetarëve të qëndrojnë larg armëve ilegale. Të rinjtë duhet të vazhdojnë të besojnë në Policinë e Kosovës. E ardhmja e njerëzve tanë është e sigurtë,” u shpreh Hoxha.

Sipas tij, që nga viti 1999 deri më sot, Policia e Kosovës ka konfiskuar mbi 36,000 armë ilegale./Arbresh.info


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *