Policia e Kosovës ka dhënë detaje për një incident që ndodhi më 7 shkurt, ku një veturë nuk iu bind urdhrave të policisë për t’u ndalur në zonën e Obiliqit.
Drejtuesi i automjetit vazhdoi drejt Vushtrrisë dhe Mitrovicës, duke rrezikuar seriozisht sigurinë e policëve dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës. Sipas policisë, gjatë ndjekjes, vetura e dyshuar goditi tre herë një automjet policor në Mitrovicë.
Përveç kësaj, drejtuesi nuk ndaloi për asnjë moment, pavarësisht sinjalizimeve të vazhdueshme nga njësitet e trafikut rrugor. Incidenti përfundoi në fshatin Zupç, në rrugën nacionale Mitrovicë – Zubin Potok, ku policia arriti të ndalojë automjetin dhe arrestoi shoferin bashkë me tre pasagjerët.
Dy zyrtarë policorë u lënduan gjatë aksionit dhe kërkuan trajtim mjekësor. Të arrestuarit po hetohen për “Sulm ndaj personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare”, ndërsa shoferi është mbajtur në paraburgim me vendim të prokurorit.

Leave a Reply