Drejtori i Policisë së Shqipërisë, Ilir Proda, ka lavdëruar Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë për operacionet e suksesshme në luftën kundër trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova në Shqipëri.
Ai theksoi rëndësinë e këtyre operacioneve për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale të armëmbajtjes pa leje në Tiranë. Në fjalën e tij, Proda vlerësoi operacionin “Barriera” dhe operacionet e tjera të realizuara gjatë vitit 2025 dhe në fillim të këtij viti, duke i cilësuar si dëshmi të profesionalizmit dhe organizimit të strukturave të DVP Tiranë.
Ai nënvizoi bashkëpunimin ndërinstitucional të shkëlqyer me Prokurorinë e Tiranës dhe partnerët ligjzbatues, si dhe bashkëpunimin me Policinë e Kosovës për të luftuar paligjshmërinë. Proda vuri në dukje se armët e zjarrit përbëjnë kërcënim serioz për jetën e qytetarëve dhe sigurinë publike, duke e cilësuar ndalimin e tyre si një prioritet absolut të Policisë së Shtetit.
Për vitin 2026, ai theksoi se lufta kundër armëmbajtjes pa leje dhe trafikimit të armëve do të jetë në fokusin kryesor të policisë në të gjitha qarqet e vendit.

Leave a Reply