Posta e Kosovës njofton qytetarët për mesazhet e rreme

Posta e Kosovës ka paralajmëruar qytetarët për mesazhe mashtruese që po qarkullojnë në emër të saj.

Sipas njoftimit, individë të panjohur po dërgojnë SMS duke pretenduar se janë nga Posta e Kosovës, gjë që është mashtrim. Ky institucion ka theksuar se komunikimi me qytetarët bëhet vetëm përmes kanaleve zyrtare si ueb faqja, rrjetet sociale dhe numrat zyrtarë të telefonit.

Pas identifikimit të këtyre aktiviteteve të dyshimta, Posta e Kosovës ka njoftuar autoritetet përkatëse dhe po bashkëpunon ngushtë me to për të adresuar situatën. Qytetarët janë këshilluar të mos klikojnë në asnjë link të dërguar përmes këtyre mesazheve dhe të mos japin asnjë informacion personal apo bankar.

Posta ka theksuar se nuk kërkon kurrë të dhëna personale përmes SMS-ve apo kanaleve jozyrtare, duke shtuar se raste të ngjashme janë raportuar edhe në vendet e tjera të rajonit. Qytetarët janë të ftuar të jenë të kujdesshëm dhe të raportojnë çdo rast të dyshimtë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *