Presidenti Begaj mirëpret aktivistët e diasporës nga SHBA-ja

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka pritur një grup aktivistësh nga Diaspora shqiptare me origjinë nga 11 shtete të SHBA-së, përfaqësuar nga organizatat GERMIN dhe Global Albanians Foundation (GAF).

Ky takim, i mbajtur në prag të Festave të Nëntorit, nënvizon rëndësinë e lidhjeve të forta me Diasporën, e cila është një pjesë thelbësore e agjendës së Presidentit. Gjatë bisedës me pjesëmarrësit, Begaj ndau përvojat e tij të mëparshme me shqiptarët që jetojnë jashtë vendit dhe vlerësoi përpjekjet e tyre për ruajtjen e gjuhës dhe identitetit shqiptar.

Ai theksoi se Diaspora është një nga shtyllat kryesore të kombit në aspektet politike, kulturore, ekonomike dhe të identitetit. Presidenti u njoh me rezultatet e programit OriginAL, që synon të lidhë të rinjtë e Diasporës me vendlindjen e tyre, duke vlerësuar rolin e tyre si përfaqësues të së ardhmes së marrëdhënieve Shqipëri-Diasporë.

Begaj shprehu mirënjohje për ndihmat që Diaspora ka ofruar pas tërmetit të vitit 2019 dhe gjatë pandemisë, si dhe për kontributet e tyre ndaj shoqatave jofitimprurëse në rajon. Ai i inkurajoi ata të vazhdojnë të mbajnë kontakte dhe të kontribuojnë në mënyra të ndryshme.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *