Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur synimin e saj për të vazhduar me një tjetër mandat si udhëheqëse e vendit, kur mandati i saj aktual të përfundojë në prill 2026.
Gjatë një interviste për Radion Evropa e Lirë, ajo theksoi se vijimi i punëve të mira është i rëndësishëm për Kosovën, duke shtuar se vendimi për këtë çështje mbetet në duart e deputetëve të Republikës së Kosovës. Osmani gjithashtu ka komentuar rezultatet paraprake të zgjedhjeve të fundit parlamentare, ku Lëvizja Vetëvendosje shënoi fitore me më shumë se 49 për qind të votave.
Pas këtyre zgjedhjeve, ajo pret formimin e institucioneve të reja dhe njoftoi se do të zhvillojë bisedime me deputetët e pushtetit dhe opozitës rreth kandidaturës së saj. Nëse nuk arrihet një marrëveshje politike për presidentin e ri, Kosova mund të përballet me një cikël të ri zgjedhor.
Presidentja gjithashtu foli për marrëdhëniet me kryeministrin Albin Kurti dhe dialogun Kosovë-Serbi. Ajo siguroi se bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara mbetet i fortë, me theks në sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.

Leave a Reply