Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, mbajti një fjalim në Kolegjin e Luftës së Ushtrisë Amerikane ku ndau me audiencën historinë e Kosovës, nga mbijetesa e deri te liria.
Ajo vuri në dukje rëndësinë e rolit të ushtarëve amerikanë dhe të aleancës së fortë mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.
Gjatë fjalimit, Osmani kujtoi periudhën e vështirë dhe të dhimbshme që kaloi Kosova, duke theksuar se ishte SHBA-ja dhe NATO që i mundësuan Kosovës të çlirohej dhe të ndërtonte një shtet të sigurt.
Osmani shprehu mirënjohje të thellë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e jashtëzakonshme që i kanë dhënë Kosovës.
“Erdha tek ju jo vetëm si Presidente e Republikës së Kosovës, por edhe si dikush që është rritur gjatë një lufte gjenocidale. Isha një vajzë shumë e re kur Kosova po përballej me një luftë të pamëshirshme nga regjimi i Millosheviqit. Ishte një kohë kur po dëboheshim nga shtëpitë tona, kur të dashurit tanë po vriteshin para syve tanë dhe kur fëmijëria jonë ishte thjesht luftë, konflikt, shkatërrim dhe vuajtje. Vetë ekzistenca jonë ishte në pikëpyetje”.
“Dhe në ato orë më të errëta, Amerika qëndroi pranë nesh. Ishin ushtarët amerikanë, krah për krah me aleatët tanë të NATO-s, ata që erdhën në Kosovë dhe e shndërruan dëshpërimin në shpresë, frikën në siguri dhe okupimin në liri. Çdo familje në vendin tim, mban një kujtim për herën e parë kur pa flamurin amerikan në krahun e një ushtari amerikan. Ata panë shpëtimtarët e tyre. Për ne, ai flamur nuk është thjesht simbol i një shteti tjetër. Ai ishte simboli i një premtimi — se edhe njerëzit në vendet më të vogla nuk do të braktiseshin nëse qëndronin për të drejtën e tyre hyjnore për të qenë të lirë”.

Leave a Reply