Prishtina jep tender 97 mijë euro, ngrihen dyshime për keqpërdorim

Komuna e Prishtinës është përballur me kritika pas dhënies së një kontrate për dekorimet e fundvitit në vlerë prej 97 mijë eurosh kompanisë “Te Fatosi” SH.P.K.

Qytetarët kanë shprehur pakënaqësi duke vënë re se dekoret janë të ngjashme me ato të vitit të kaluar. Një operator ekonomik ka paraqitur ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), duke pretenduar shkelje të Ligjit për Prokurimin Publik nga ana e komunës.

Ankuesi pohon se gjatë procesit të hapur të prokurimit, oferta e tij ishte më e ulëta, por vendimi fillestar u anulua pas rishqyrtimit mbi një kërkesë nga një operator tjetër. Përpara përfundimit të këtij procesi, komuna nisi një procedurë të negociuar pa njoftim publik, duke lidhur kontratë me “Te Fatosi” në një vlerë më të lartë.

Në ankesë theksohet se procedura e negociuar u përdor pa kushte ligjore të emergjencës dhe pa dokumentacion justifikues, duke shkelur konkurrencën dhe transparencën. Ankuesi gjithashtu nënvizon se kërkesa e tij për rishqyrtim dhe qasje në dokumente nuk ka marrë përgjigje.

Kjo situatë ka ngritur dyshime për favorizim të “Te Fatosi” dhe për shfrytëzim jo optimal të fondeve publike.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *