Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka vendosur të shtyjë nisjen e procesit mësimor deri më 12 janar 2026, për shkak të kushteve të vështira atmosferike që kanë përfshirë vendin.
Reshjet e mëdha dhe vërshimet, të cilat sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës pritet të vazhdojnë, kanë krijuar pengesa të shumta në trafik dhe probleme me kanalizimin në shumë komuna. Ministria, pas konsultimeve me Drejtoritë Komunale të Arsimit, ka konkluduar se fillimi i mësimit të parashikuar për këtë të enjte është i pamundur.
Si pasojë, pushimi dimëror do të zgjatet për dy ditë, dhe mësimi pritet të rifillojë të hënën, më 12 janar. Orët e humbura do të kompensohen gjatë pjesës së dytë të vitit shkollor 2025/2026.
MAShTI falënderon prindërit, nxënësit dhe mësimdhënësit për mirëkuptimin e tyre, duke theksuar se siguria e komunitetit arsimor mbetet përparësi.

Leave a Reply