Procesi zgjedhor i qetë, 6,250 policë të angazhuar në terren

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka raportuar për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në Kosovë, duke theksuar se deri tani nuk ka pasur asnjë incident që të pengojë procesin.

Kelani, në një intervistë për Dukagjin, ka bërë të ditur se janë pranuar 22 informacione nga qytetarët në lidhje me aspektet zgjedhore. Ai sqaroi se plani operativ i policisë është ndarë në katër faza, ku aktualisht fokusi është në Ditën Z.

Deri më tani, janë adresuar çështje që përfshijnë fotografimin e votës dhe raste të tjera, por shumica janë trajtuar vetëm si informacione pa përmbajtje penale. Për Ditën e Zgjedhjeve janë angazhuar 6,250 zyrtarë policorë, të cilët kanë filluar detyrën që nga ora 03:00 e mëngjesit.

Përveç kësaj, 700 automjete janë në gatishmëri për të ndihmuar ekipet në terren, ndërsa faza e katërt do të përfshijë edhe periudhën pas mbylljes së qendrave të votimit dhe festimet publike pas orës 19:00.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *