Produktet nga Kosova do të kenë së shpejti barkoda ndërkombëtare
Në një zhvillim të rëndësishëm për ekonominë e Kosovës, produktet e vendit do të pajisen me barkoda ndërkombëtare.
Kjo u bë e mundur pas një takimi mes Kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, dhe Kryetares së Fondacionit GS1 Turqi, Elif Muftuoglu. Në këtë takim u vlerësua mbështetja që GS1 Turqia ka ofruar për Kosovën në procesin e anëtarësimit në rrjetin global të barkodave GS1.
Rafuna theksoi se ky bashkëpunim lejon që GS1 Kosova të fillojë me sukses lëshimin e barkodave që do të ndihmojnë në prezantimin dhe njohjen më të gjerë të produkteve kosovare në tregjet ndërkombëtare. Ky hap pritet të rrisë vlerën dhe besueshmërinë e produkteve, duke ofruar siguri më të madhe si për konsumatorët vendas ashtu edhe për ata të huaj.
Oda Ekonomike e Kosovës shprehu mirënjohje për GS1 Turqinë dhe Muftuoglu për bashkëpunimin e frytshëm dhe mbështetjen profesionale, duke e cilësuar këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit.

Leave a Reply