Prona në Mitrovicë përdoret nga oligarku, kontratë e paligjshme

Në qershor të vitit 2023, Ndërmarrja Shërbyese e Transportit Tokësor “Stacioni i Autobusëve” Sh.A.

në Mitrovicë nënshkroi një kontratë qiraje me kompaninë “Arjeta Group” Sh.P.K., e cila operon nën emrin tregtar “Qendra Tregtare Arjeta QTA”. Hetimet e Veriu.info kanë zbuluar se marrëveshja është bërë me shkelje ligjore dhe në dëm të pronës publike.

Kontrata përfshin një lokal me sipërfaqe 843 m2 dhe një parcelë prej 18 ari (1802 m2). Sipas marrëveshjes, “Arjeta Group” paguan 6.43 euro për m2 për lokalin, por përdor parcelën prej 18 ari pa pagesë, ndonëse rregullorja e kompanisë kërkon 1 euro për m2 për hapësira të tilla.

Marrëveshja është për 15 vite, në kundërshtim me rregulloren që lejon qira deri në 10 vite. Përveç kësaj, investimi i “Arjeta Group” prej 224,433 euro do të zbritet nga qiraja, duke e bërë qiranë efektive zero për rreth 44 muaj.

Në fund, kontrata ndalon “Stacioni i Autobusëve” të zhvillojë veprimtari të ngjashme në atë hapësirë, duke i dhënë “Arjeta Group” një avantazh të padrejtë. Deri tani, pyetjet e Veriu.info për këtë çështje kanë mbetur pa përgjigje.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *