Punësimi i dyshimtë në KEK: Djemtë e ish-kryeshefit të lidhur me Vetëvendosjen ngjallin debat të fortë

Korporata Energjetike e Kosovës po shndërrohet gjithnjë e më tepër në një strehë për militantët e pushtetit. Rasti i fundit lidhet me ish-ushtruesin e detyrës së kryeshefit të KEK-ut, Bekir Gërguri, i cili aktualisht mban rolin e këshilltarit të kryeshefit.

Gërguri ka arritur të sigurojë punësim për dy djemtë e tij në të njëjtën ndërmarrje që ai vetë e drejtonte deri pak muaj më parë.

Lajmin e ka konfirmuar vetë Gërguri.

“Jo veç djemtë e mi, por secili kur është konkursi i hapur kanë të drejta të barabarta, të gjithë uniform para konkursit. Nuk muj me ia mohu të drejtën as njërit, as tjetrit e kanë fatin e vet, janë madhor prandaj e kane të ardhmen perspektive”, tha Gërguri për Periskopin.

Njëri nga djemtë e Bekir Gërgurit është punësuar si teknik makinerie, ndërsa tjetri në pozitën e teknik-ut të kimisë.

Situata bëhet edhe më problematike pasi kryetar i komisionit që ka përzgjedhur teknikun e kimisë ka qenë Ramadan Sokolin – vëllai i deputetit të Vetëvendosjes, Bylbyl Sokoli.

Po ashtu, vlen të theksohet se Bekir Gërguri është aktiv në fushatën e kandidatit të Vetëvendosjes për kryetar të Fushë-Kosovës, Valon Prebreza.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *