Një incident shqetësues ka dalë në pah në një projekt ndërtimi në lagjen Lakrishte të Prishtinës, ku një punëtor është kapur duke punuar pa pajisje mbrojtëse në lartësi të mëdha.
Videoja, e cila është siguruar nga Gazeta Insajderi, shfaq punëtorin duke kryer punime të rrezikshme pa helmetë dhe pa litarë sigurie, duke shkelur Ligjin për Siguri në Punë. Projekti në fjalë po realizohet nga “Sherreti Group” përmes kompanisë ndërtimore “Cullinan LLC”, e cila është prezantuar publikisht në rrjetet sociale.
Të dhënat nga ARBK tregojnë se “Cullinan LLC” është në pronësi të vëllezërve Avdiu nga Ferizaj. Gazeta Insajderi ka kërkuar zyrtarisht komente nga “Cullinan LLC”, por ende nuk ka marrë përgjigje.
Ndërkohë, videoja është dorëzuar edhe tek Inspektorati i Punës për veprime të mëtejshme, megjithatë nuk ka konfirmime për fillimin e hetimeve. Ngjarja rikujton rastet e mëparshme tragjike në Kosovë, ku punëtorët kanë humbur jetën për shkak të mungesës së kushteve të sigurisë në punë.

Leave a Reply