Kryeshefi i Ndërmarrjes “Trepça”, Faton Ahmeti, ka nënshkruar një vendim të ri për transferimin e Valdete Shabanit, e cila e konsideron këtë vendim si të paligjshëm dhe hakmarrës.
Shabani, e cila më parë ka punuar si Udhëheqëse e Depove Doracake në Njësinë e Miniera me Flotacion – Kishnicë e Artanë, po dërgohet në pozicionin e Zyrtares së Logjistikës në Metalurgjinë e Zinkut. Ajo shpreh shqetësimet e saj për këtë transfer, duke e konsideruar si një lojë ping pongu nga menaxhmenti, pa marrë parasysh gjendjen e saj shëndetësore.
Shabani vuan nga kufizime fizike pas një operacioni në këmbë në Gjermani dhe i kërkon menaxhmentit të Trepçës që të rikthehet në rolin e saj të mëparshëm në Flotacionin e Stantërgut, ku ka punuar për rreth nëntë vjet. Ajo ka paraqitur një padi kundër Ndërmarrjes “Trepça”, duke e quajtur transferimin e fundit të paligjshëm.
Më parë, Gjykata Themelore kishte vendosur në favor të saj, por rasti është ende në pritje në Gjykatën e Apelit. Ndërkohë, ajo ka njoftuar për një lëndim në punë, duke përfshirë këtë incident në ankesat e saj.

Leave a Reply