Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka hedhur poshtë ankesën e bërë nga subjekti politik “Koalicija Vakat”, e cila kërkonte që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të detyrohej të certifikonte kandidaten Ena Krasniqi për zgjedhjet e parakohshme të Kuvendit të Kosovës më 28 dhjetor 2025.
Në vendimin e tij, PZAP e konsideroi ankesën të pabazuar, duke e mbështetur vendimin e KQZ-së si të drejtë dhe të ligjshëm. KQZ kishte certifikuar 42 nga 43 kandidatët në listën e “Koalicija Vakat”, ndërsa kishte refuzuar certifikimin e Krasniqit për shkak të mungesës së provave që dëshmonin përkatësinë etnike me komunitetin jo-shumicë.
PZAP sqaroi se vendet e rezervuara në Kuvend për komunitetet jo-shumicë kërkojnë një lidhje objektive të kandidatëve me komunitetin, përmes elementeve si përkatësia etnike dhe identiteti kulturor. Vendimi theksoi se e drejta për t’u zgjedhur ka kufizime të përcaktuara nga Kushtetuta dhe ligji, duke ruajtur integritetin e përfaqësimit përmes vendeve të rezervuara.
Krasniqi nuk kishte ofruar prova të mjaftueshme për të kundërshtuar pretendimet e KQZ-së, duke përfshirë pjesëmarrjen e saj të mëparshme në një subjekt të komunitetit shumicë.

Leave a Reply