Qeveria e Kosovës do të zhvillojë sot një mbledhje të rëndësishme, e cila është planifikuar të fillojë në ora 10:00, sipas burimeve zyrtare nga zyra e kryeministrit.
Në rendin e ditës përfshihen disa çështje të rëndësishme, duke përfshirë shqyrtimin e propozimeve për konfirmimin e zbatimit të vendimeve të CEFTA-s dhe protokolleve përkatëse. Një ndër pikat kryesore do të jetë diskutimi për shpronësimet e pronave të paluajtshme për realizimin e projekteve publike, si Linja ajrore 110 kv në Parkun me Erë-Zatriq dhe ndërtimi i kyçjes së Vitisë në autostradën “Arbër Xhaferi”.
Po ashtu, do të shqyrtohet raporti i tretë i punës i Komisionit për Vlerësimin e Sistemeve Shtetërore të Informacionit dhe Komunikimit. Mbledhja do të përfshijë gjithashtu aprovimin e ekstrakteve të procesverbaleve të mbledhjeve të kaluara të qeverisë dhe diskutimet mbi interesat publike të projekteve infrastrukturore në Klinë dhe zgjerimin e rrugës nacionale M25.

Leave a Reply