Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një intervistë ekskluzive për “Jehona politike”, ka theksuar se Kosova është bërë peng i Serbisë me vullnetin e saj. Në deklaratat e tij, Rama shprehu qëndrimin se Kosova nuk ka nevojë të lidhet fare me Serbinë dhe se ajo duhet ta injorojë Beogradin në drejtimin e saj, duke thënë se “për mua, Kosova e ka fituar luftën, por duhet të fitojë paqen”.
“Fitimi i paqes nënkupton integrimin në tryezën e bashkësisë demokratike. Kjo është thelbësore. Për ta arritur këtë, Kosova nuk duhet të vështrojë aspak nga Beogradi, as të mendojë për Serbinë, apo të merret me pretendimet e tyre, por duhet të përqendrohet në realizimin e detyrave të saj”.
“Është e rëndësishme që Kosova t’i kryejë detyrat për veten dhe të ardhmen e saj, jo për serbët. Këto përfshijnë dialogun, por janë të lidhura me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara. Pra, nëse në tryezën e dialogut janë disa pika për t’u përmbushur, Kosova duhet t’i realizojë ato në mënyrë të njëanshme dhe të ecë përpara. Nuk ka rëndësi se çfarë bën Serbia, edhe nëse ajo nuk i përmbush, nuk është problem”, tha Rama, raporton Klankosova.tv.
Më tej, Rama theksoi se nëse Kosova i përmbush obligimet e saj dhe Serbia jo, atëherë Kosova është në pozicion të drejtë për t’i thënë të gjithëve: “shkoni merruni me Serbinë, unë dua vendin tim, dua rrugën time, dua vëmendjen time”.

Leave a Reply