Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit të Financave, Hekuran Murati, duke e akuzuar atë për bllokimin e fondeve të qytetarëve.
Në një postim në Facebook, Rama theksoi se fondet e bllokuara prej 35 milionë eurosh janë të aprovuara për vitin 2025 dhe përfshijnë Grantin Qeveritar dhe të hyrat vetanake. Ai vlerësoi se mbajtja peng e këtyre fondeve dëmton investimet dhe shërbimet për qytetarët.
Rama gjithashtu foli për 28.6 milionë euro të cilat nuk u miratuan nga Kuvendi për shkak të mungesës së votave nga LVV dhe PDK, duke theksuar se kjo situatë ka penguar realizimin e projekteve në Prishtinë. Ai nënvizoi se mosalokimi i mjeteve përbën një shkelje kushtetuese që cenon autonominë financiare të komunës.
Në përfundim, Rama bëri thirrje për zhbllokimin e menjëhershëm të fondeve për të siguruar vazhdimësinë e projekteve dhe shërbimeve në kryeqytet.

Leave a Reply