Rama mbi bashkimin kombëtar: Koha për të lënë pas formulat e shekujve 19 dhe 20

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka diskutuar temën e bashkimit kombëtar, duke theksuar se kjo çështje ka rëndësi vetëm në lidhje me Bashkimin Evropian dhe sinergjinë e krijuar brenda këtij kuadri.

Rama theksoi se nuk mund të ketë përparim në këtë drejtim pa ndërtuar besim dhe përkrahje të plotë ndërkombëtare, ndërsa vuri në dukje mungesën e progresit në zgjerimin dhe forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare të Kosovës.

“Është e pamundur të përparohet në asnjë lloj drejtimi në këtë aspekt pa krijuar besim dhe simpati të plotë ndërkombëtare. Kjo nuk bëhet se duam ne, por bëhet nëse ne kemi të gjithë miqtë e mjaftueshëm dhe aleancat e mjaftueshme për t’ia dalë”.

“Në këtë aspekt, fjala më e butë që mund të thuhet është se nuk ka asnjë progres. S’ka asnjë progres në aspektin e zgjerimit dhe forcimit të miqësive ndërkombëtare të Kosovës”, tha Rama  në Klan Kosova.

Rama më tej deklaroi se për të, bashkimi kombëtar nënkupton vetëm integrimin në Evropë dhe asgjë tjetër, duke e cilësuar çdo tjetër si përrallë.

“Bashkimi kombëtar, sipas meje, është vetëm bashkimi me Evropën dhe asgjë tjetër. Çdo gjë tjetër është përrallë që gjithkush mund t’ia tregoj vetes por nuk ka asnjë shans që ta sheh të realizuar në realitet”.

“Jetojmë në shekullin 21 dhe nuk mund të mendojmë në shekullin 21 me formula të shekullit 20 dhe lëre pastaj të shekullit 19 apo më përpara. Për mua, nëse flasim për bashkim kombëtar, flasim për Bashkim Evropian. Nëse flasim për bashkim kombëtar jashtë Bashkimit Evropian, jemi duke folur me vete dhe për vete por as për vete jo sepse është tërësisht një fantazi që s’ka lidhje me realitetin”, tha Rama.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *