Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një interviste ekskluzive në emisionin “Jehona politike” në Klan Kosova, ka diskutuar rreth Gjykatës Speciale dhe procesit “Thaçi dhe të tjerët”.
Rama vë në dukje mungesën e vullnetit në Kosovë për të miratuar një rezolutë parlamentare, një nismë që, sipas tij, Shqipëria do ta mbështeste menjëherë kundër Gjykatës Speciale.
“Nuk ka vullnet në Kosovë për të dalë me një rezolutë të Parlamentit të Kosovës, një rezolutë përtej partive politike të cilës ne do t’i bashkoheshim menjëherë ndaj Gjykatës Speciale dhe ndaj gjithë kësaj farse sepse ka shumë farsë në këtë mes”, deklaroi Rama, raporton Klankosova.tv.
Ai gjithashtu foli për komunikimet e tij me ish-presidentin Hashim Thaçi, duke theksuar se nuk flasin shpesh.
“Hashimi dhe të tjerët dhe Parlamenti i Kosovës bënë një akt mirëbesimi. Nuk dëgjohemi shpesh [me Thaçin] por kam përshtypjen që ndjehemi gjatë gjithë kohës pa ndërprerje”, theksoi Rama.
Në vijim, Rama u shpreh se Gjykata Speciale do të ndikojë tek vendet që e mbështesin atë, duke sugjeruar se këto vende mund të nxiten për të reformuar sistemin.
“Pa shkuar në parashikime ogurzeza, e gjithë kjo histori është një histori shumë e trishtueshme dhe zhgënjyese që unë kam përshtypjen që do të lë gjurmë tek vendet që e sponsorizojnë këtë gjykatë dhe kam përshtypjen që në një moment të caktuar do të zgjohen për ta reformuar këtë lloj sistemi kaq zhgënjyes”.
“Por, fatkeqësisht, në momentin që flasim, nuk kemi çfarë të bëjmë tjetër përveç se të ndjekim procesin duke shpresuar që në fund do të ketë një dritë ndërgjegjeje në momentin e marrjes së vendimit dhe nuk do të jetë deri në fund një tunel pa dritë si ky që ka qenë deri tani”, shtoi ai.

Leave a Reply