Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kritikuar Kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për deklaratat e tij gjatë një tubimi elektoral, ku u shpreh se buxheti i shtetit nuk do të shkojë për ata kryetarë që nuk punojnë apo për ata që vjedhin.
Rama theksoi se Kurti, si kryeministër i një shteti demokratik, ka detyrime kushtetuese për të mbështetur të gjitha komunat, pavarësisht përkatësisë partiake, duke e cilësuar deklaratën e tij si skandaloze. Rama argumentoi se buxheti i shtetit nuk është pronë private e as shpërblim për besnikëri politike, por një e drejtë e qytetarëve që kontribuojnë me tatime.
Ai paralajmëroi se përdorimi i buxhetit për të ndëshkuar kundërshtarët politikë është shenjë e autokracisë dhe rrezik institucional. Duke e quajtur qasjen e Kurtit si të dështuar, Rama shprehu shqetësimin se ky lloj udhëheqjeje krijon një kulturë servilizmi dhe frike, duke nënvizuar se Kosova është dhe duhet të mbetet një shtet demokratik.

Leave a Reply