Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar për një ndryshim të papritur të motit, duke theksuar ulje të temperaturave dhe reshje bore.
Gjatë natës, erërat që më parë frynin nga juglindja, pritet të ndryshojnë drejtim drejt veriut dhe veriperëndimit, duke sjellë ajër të ftohtë nga veriu që do të ulë ndjeshëm temperaturat në të gjithë vendin. IHMK paralajmëron për rrezik ngricash në rrugë, trotuare dhe ura, ku lagështia e lartë mund të shkaktojë rrëshqitje.
Reshjet e shiut, sipas parashikimeve, do të kalojnë në borë, fillimisht në zonat kodrinore dhe malore, për të vazhduar më pas edhe në pjesët e ulëta të Kosovës. Paralajmërimet për vështirësi në qarkullim janë më të theksuara në rrugët malore dhe akset dytësore.
Drejtuesit e automjeteve këshillohen të përdorin pajisje dimërore dhe të jenë të kujdesshëm. Po ashtu, këto kushte mund të ndikojnë në sektorë si bujqësia dhe furnizimi me energji.
Qytetarët këshillohen të ndjekin njoftimet zyrtare dhe të marrin masat e nevojshme për sigurinë e tyre.

Leave a Reply