Reshje bore dhe ngrica, IHMK paralajmëron për kujdes në rrugë

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka paralajmëruar rrezik nga ngricat, që priten të ndikojnë në sipërfaqet rrugore, trotuare, ura dhe zona të tjera me lagështi të lartë.

Gjatë natës, era do të ndryshojë drejtim nga juglindja në veri dhe veriperëndim, duke sjellë masa ajrore të ftohta me origjinë veriore. Si pasojë, temperaturat do të bien ndjeshëm në gjithë territorin e Kosovës.

Sipas njoftimit, reshjet e shiut do të kthehen gradualisht në borë, fillimisht në zonat kodrinore dhe malore, dhe më vonë edhe në zonat e ulëta. Ngricat që do të krijohen, së bashku me borën dhe erërat e ftohta, pritet të vështirësojnë qarkullimin rrugor.

Rrugët malore dhe akset dytësore janë veçanërisht të rrezikuara nga rrëshqitjet dhe ngrirjet e shpejta. Pjesëmarrësit në trafik këshillohen të përdorin pajisje dimërore dhe të përshtatin shpejtësinë sipas kushteve të rrugës.

Gjithashtu, këto kushte mund të ndikojnë në sektorë si bujqësia dhe furnizimi me energji. IHMK-ja apelon qytetarët të ndjekin njoftimet zyrtare dhe të marrin masa mbrojtëse për sigurinë personale.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *