Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) ka raportuar se disa zona në Kosovë janë prekur nga vërshime të intensitetit të ulët.
Sipas të dhënave të Qendrave Operative Emergjente Regjionale 112, ndër zonat e prekura janë disa lagje në Prishtinë, përfshirë Kodrën e Trimave dhe Arbërinë, si dhe zona pranë Stacionit të Autobusëve. Vërshime janë raportuar edhe në Fushë Kosovë, në lagjen Kolonia, dhe në disa fshatra të Gjilanit, si Velikincë dhe Cërnicë.
Situata të ngjashme janë evidentuar në Ferizaj, Kamenicë, Novobërdë dhe Junik. AME thekson se situata është nën kontroll dhe e menaxhueshme.
Përmes qendrave operative rajonale dhe Njësive Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, agjencia është në gatishmëri për të reaguar ndaj çdo emergjence lokale. Po ashtu, janë ngritur masat e gatishmërisë për ekipet e kërkim-shpëtimit në ujërat sipërfaqësore dhe ekipet e pompimit.
Ndërkohë, komunat kanë apeluar për kujdes nga qytetarët, duke i këshilluar të shmangin lëvizjet e panevojshme për shkak të mundësisë së vërshimeve.

Leave a Reply