Të shtunën, Shqipëria do të përballet me kushte atmosferike të paqëndrueshme, sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak.
Në të gjithë vendin, parashikohen vranësira të dendura dhe reshje shiu me intensitet të ndryshueshëm. Reshjet do të jenë më të shpeshta dhe me intensitet të lartë në zonat veriperëndimore dhe jugperëndimore, veçanërisht gjatë orëve të para të ditës.
Në disa zona do të ketë shtrëngata të shoqëruara me shkarkesa elektrike, ndërsa në Alpe pritet të ketë stuhira bore. Dëbora pritet të bjerë me intensitet mesatar mbi 100 metra në veri-verilindje dhe mbi 200-300 metra në jug-juglindje.
Në pjesën tjetër të vendit, pasditja do të sjellë reshje të lehta bore. Era do të fryjë nga veriperëndimi në jugperëndim, me shpejtësi që mund të arrijë deri në 24 m/s përgjatë bregdetit dhe zonave luginore.
Deti pritet të jetë i trazuar me valëzim të forcës 4–6 ballë. Mjegulla dhe mjegullina e dendur do të ndikojnë në shikueshmërinë për shkak të reshjeve të shiut dhe dëborës.

Leave a Reply