Rinumërimi i 5 vendvotimeve mbaron, vijon numërimi i votave të veçanta

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përfunduar rinumërimin e fletëvotimeve në pesë vendvotime, një proces i nisur sipas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, njoftoi se rinumërimi i përkiste komunave Mitrovicë e Jugut, Kamenicë dhe Podujevë. Ndërkohë, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) është duke u zhvilluar numërimi i votave nga votimi me kusht.

Përfundimi i këtij procesi do të pasohet nga numërimi i fletëvotimeve të personave me nevoja të veçanta. Votimi me kusht u zhvillua në 54 vendvotime në 38 komuna, ndërsa për personat me nevoja të veçanta u realizua nga ekipe mobile.

Numri i zarfeve me vota të kushtëzuara është mbi 2,119, ndërsa 3,467 votues janë regjistruar me nevoja të veçanta. Në QNR po ashtu po zhvillohet skanimi i Listës së Votuesve për të siguruar integritetin e procesit zgjedhor, duke ndihmuar në identifikimin e çdo rasti të votimit të dyfishtë.

Rezultatet e rinumërimit janë publikuar në platformën online të KQZ-së.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *