Rohde përcjell emocionet e largimit nga Kosova: Çdo gjë këtu do të më mungojë thellësisht

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, po përfundon mandatin e tij në Kosovë pas pesë vjetësh shërbimi.

Ai ka publikuar një videomesazh lamtumire për qytetarët e Kosovës, ku shpreh se do t’i mungojë Kosova, së bashku me klimën dhe sjelljen e mirë të njerëzve.

“Pas pesë vjetësh këtu, duhet të them lamtumirë dhe do të më mungojë Kosova. Jo vetëm moti, por edhe mirësjellja e njerëzve, ecjet në male. E dini, kur shikoj majtas nga Parku i Gërmisë, ku shpesh përdor biçikletën time malore, këto gjëra do të më mungojnë para se të kthehem në Berlin. Kam pasë një kohë të mrekullueshme këtu”.

Rohde gjithashtu përmendi liberalizimin e vizave si një sukses të arritur gjatë mandatit të tij, por vuri në pah edhe mungesën e anëtarësimit në Këshillin e Europës.

“Kemi parë shumë zhvillime. Liberalizimi i vizave në vitin 2024 ishte një arritje e madhe. Ka gjithashtu gjëra që nuk janë realizuar, si anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Europës. Lidhjet mes vendeve tona janë unike. Siç e dini, 600 mijë kosovarë ose gjermanë me prejardhje kosovare jetojnë në Gjermani. Ky numër po rritet. Dhe jam i sigurt se lidhjet tona do të vazhdojnë të rriten. Ne do të jemi një partner i madh i Kosovës. Kemi qenë një partner i madh që nga pavarësia. Dhe në këtë drejtim, do të doja t’ju lutesha që t’ia zgjasni mirësinë dhe miqësinë tuaj edhe pasardhësit tim, Rainer Rudolph, i cili do të mbërrijë këtu së shpejti”.

Në përfundim, Rohde, i cili është një admirues i futbollit dhe shpesh është parë duke luajtur këtë sport në Kosovë, i drejtoi topin pasardhësit të tij, Rainer Rudolph.

“Dhe, për të qëndruar në gjuhën e futbollit, unë së shpejti do t’ia kaloj topin pasardhësit tim, Rainer Rudolph”./Express/


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *