Ish-zyrtarja e Policisë së Kosovës, Nekibe Maxhuni, ka vendosur të largohet nga institucioni pas më shumë se 24 viteve shërbim, duke e justifikuar vendimin e saj me presionin psikologjik të ushtruar nga ish-shefi i saj, nënkolonel Haxhi Krasniqi.
Gazetarja e Reporteri.net, Leonora Kolukaj, zhvilloi një intervistë me Maxhunin, ku ajo shpjegoi edhe për vendime të paligjshme të marra nga komisioni për shqyrtimin e ankesave të qytetarëve lidhur me ndëshkimet në trafik. Maxhuni hodhi akuza për dhunë brenda stacionit, ku pretendon se eprorët janë përfshirë në konflikte fizike, dhe ngriti dyshime për ryshfet ndaj dy ish-kolegëve.
Sipas Maxhunit, problemet nisën 3-4 muaj pas emërimit të saj në Komisionin për vendosje, dhe presioni filloi me ndarjen e lëndëve.
“Më ka ba presion të vazhdueshëm. Ka tentu edhe shoqninë me ma dirixhu me kënd me ndejtë unë. Nuk ke pas ku me u anku për shefin se ai u kanë nënkolonel dhe u kanë i paprekshëm. U thirr te ajo se unë e kom mbështetjen e drejtorisë”, rrëfen ajo.
Ajo akuzoi gjithashtu një ish-kolege, të cilën e konsideron iniciatore të presionit të ushtruar nga Krasniqi ndaj saj.
“Mrenda Komisioni, Haxhia e ka pas një grup të formum. Pjesë kyqe e grupit është togerja Hakide Kida, e cila u kanë edhe mbështetesë edhe iniciatore e gjithë presionit dhe torturës që mu ka bë”.
Maxhuni shpjegoi se ish-shefi i saj e kishte kontrolluar çantën personale, veprim që e përjetoi si momentin më të vështirë të karrierës së saj. 24 orë pas këtij incidenti, ajo e mori vendimin për dorëheqje.
“Ma kontrollon çantën personale të krahut. Gjëja me e rëndë që me ka ndodhë në 21 vjet e gjysmë karrierë në Policinë e Kosovës. Pa asnjë arsye. Vjen më thotë zbrase çantën se na kanë humb disa çelësa. 24 orëshin e parë mbas kontrollimit të çantës, kom vendos me dhanë dorëheqje”, ka rrëfyer ajo.
Ajo pretendon gjithashtu se brenda njësisë është ushtruar dhunë fizike.
“Në njësi, janë rreh ata eprorët. Unë s’jam rreh me kërkend. Hakide Kida e ka rreh Xhaviti. Unë jam kanë atë dite në pushim, e kur kam ardhë nesër ai s’më folke. Thanë e ka gjujt Hakidja me digitron….Hakidja shumë herë ka thanë unë i kom gjujt e i kom rreh këtu krejt”.
Maxhuni gjithashtu akuzon ish-kolegët për ryshfet.
“Haxhia merr pare për me i qit. Në një rast, shoqni mbas shoqenie më ka thanë që ia ka lyp 3 mijë euro për me ia shti landën me ia zgjidh pa rend…Për mua, të dytë janë të dyshimtë për marrje të parave. Në autobus e taxi më ka ndodhë me i ndi njerëzit tu thanë i thash 5 mijë euro, i thash 10 mijë euro për me marrë patent-shoferin”, ka thënë ajo.
Reporteri.net ka provuar të kontaktojë me Krasniqin dhe Kidën për të marrë një qëndrim mbi akuzat e Maxhunit, por asnjëri nuk ka pranuar të flasë, duke kërkuar që pyetjet t’i drejtohen Policisë së Kosovës.
Policia e Kosovës ka dhënë një deklaratë lidhur me akuzat e Maxhunit. Sa i përket kontrollit të çantës, thuhet se pretendimet e Maxhunit nuk janë dëshmuar.
“Gjatë këtij trajtimi administrativ, janë shqyrtuar në detaje, pretendimet e paraqitura nga ankuesja, në ankesën e saj drejtuar Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), si dhe në deklaratën e dhënë gjatë zhvillimit të hetimit. Bazuar në intervistat e realizuara si dhe nga shqyrtimi i dokumentacionit dhe shkresave të pranuara gjatë këtij procesi hetimor, nuk është arritur të vërtetohen apo të mbështeten me fakte konkrete pretendimet e parashtruara nga ankuesja, pra çështje konsiderohet e pabazuar”, thuhet në njoftim.
Lidhur me pretendimet për dhunë në stacion, Policia thotë se “lëndë të tilla trajtohen nga institucione tjera të cilave mund t’u drejtoheni për informacione.”
Në letrën e dorëheqjes, Policia thotë se ajo kishte njoftuar për procedurat që do të pasonin në muajin mars 2025 në Oden e Avokateve të Kosovës dhe ajo planifikonte të ishte pjesë e procedurave për licencim nga Oda e Avokateve të Kosovës.
“Nga anëtaret e Komisionit për Vendosje, kërkohet standard i lartë i paanshmërisë dhe profesionalizmit. Paralajmërimi me shkrim i dorëheqjes së zyrtares dhe pjesëmarrja në procedurat e Odes së Avokateve të Kosovës, për një anëtar të rregullt të ‘Komisionit për Vendosje’ është konsideruar Konflikt Interesi (nuk mund të jete askush palë mbrojtëse dhe njëkohësisht edhe vendimmarrës në procedurë për kundërvajtje). E pakënaqur me transferimin, ish zyrtarja kishte parashtruar ankesë në ‘Komisionin e Ankesave’ në kuadër të Policisë së Kosovës. Komisioni i Ankesave, ankesën e kishte refuzuar si të pa bazuar”, thuhet në përgjigje.

Leave a Reply