Rritja e shpejtë e çmimeve: Dimri mund të përkeqësojë situatën ekonomike

Artikujt e përditshëm në tregjet e Kosovës kanë pësuar një rritje të dukshme të çmimeve gjatë muajit gusht të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave nga tregjet, një pako vezë që vitin e kaluar në gusht kushtonte 2.50 euro, këtë vit u shit për 3.55 euro, që është një rritje prej 42 për qind.

Gjithashtu, rritje prej 17 për qind është regjistruar te vaji i lulediellit.

Nga 1.44 euro sa ishte çmimi në gusht të 2024-ës për një shishe 1-litërshe, këtë vit çmimi është 1.69 euro.

Kryetari i Odës Ekonomike, Lulzim Rafuna, deklaron se rritja e çmimeve ka ndodhur me një ritëm më të shpejtë nga sa ishte parashikuar.

“Ne parashikuam që rritja do të jetë mbi 4 për qind në tetor, por tani jemi në shtator dhe ka tejkaluar 4.51 për qind. Duke ulur prodhimin tonë dhe duke importuar nga jashtë, ne importojmë inflacionin, por e kemi shkaktuar edhe brenda, përmes rritjes së faturave të energjisë elektrike. Kjo do të reflektohet edhe në muajt e ardhshëm dhe do të vazhdojë të rritet, pasi historikisht dihet se çmimi i energjisë elektrike në muajt tetor, nëntor, dhjetor rritet, pasi konsumi rritet”, ka thënë Rafuna.

Sipas tij, rritja e çmimit të energjisë do të ndikojë edhe te ndërmarrjet komunale, si uji dhe mbeturinat, duke e rënduar më tej koston e jetesës.

“Pa dyshim se do të përjetojmë një inflacion më të lartë, ndoshta jo dyshifror si disa vite më parë, por do të jetë më i larti i njohur deri tani”, ka thënë Rafuna.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, inflacioni në janar të këtij viti ishte 1.5 për qind, duke u rritur vazhdimisht deri në 4.5 për qind në gusht.

Një vit më parë, në gusht 2024, inflacioni ishte 1.4 për qind.

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka parashikuar se rritja e çmimeve në Kosovë për vitin 2025 do të jetë 2.25 për qind.

Ndërsa Banka Qendrore e Kosovës ka parashikuar që norma mesatare e inflacionit do të jetë 3.3 për qind. Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve, Kushtrim Ajvazi, thotë se kostoja e shportës bazë të konsumit në gusht 2025 krahasuar me gushtin e 2021 është rritur për 47 për qind.

“Nëse një familje në gusht 2021 shpenzonte rreth 199.44 euro për një sasi të caktuar të produkteve bazë, në gusht 2025 për të njëjtën sasi duhet të paguajë 293.77 euro. Kjo do të thotë 47 për qind më shumë për të mbajtur të njëjtin nivel konsumi. Rritjet më të mëdha janë te: mielli (+62%), buka e bardhë (+56%), mishi i pulës (+66%), mishi i gjedhit pa eshtra (+63%), kafeja e bluar (+67%), sheqeri (+64%)”, ka thënë Ajvazi.

Sipas një ankete të Institutit Ndërkombëtar Republikan, kryer gjatë periudhës maj-korrik, 45 për qind e qytetarëve të Kosovës e konsiderojnë rritjen e çmimeve si problemin kryesor. Papunësia (19 për qind), korrupsioni (6 për qind) dhe situata politike (5 për qind) renditen pas saj.

Ndërkohë, vitin e kaluar 28 për qind e qytetarëve e shihnin rritjen e kostos së jetesës si problemin kryesor të vendit.

Rritja e çmimeve ka ulur fuqinë blerëse, veçanërisht për familjet me të ardhura të ulëta, të cilat shpenzojnë pjesën më të madhe të buxhetit për ushqim dhe shërbime bazë.

Ekspertët paralajmërojnë se përderisa Kosova mbetet e varur nga importet, çdo lëvizje e çmimeve ndërkombëtare do të reflektohet menjëherë në tregun e brendshëm.

Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, gjatë 9 muajve të parë të këtij viti janë importuar mallra me vlerë 5 miliardë e 66 milionë euro, apo rreth gjysmë miliard më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Rënia e pranisë së produkteve kosovare në tregjet ndërkombëtare, sipas ekspertëve, mbetet shqetësuese. Ato janë për rreth 30 milionë euro më pak se sa në periudhën janar-shtator 2024.

Vitin e kaluar deri në gusht u eksportuan 658 milionë euro mallra, ndërsa këtë vit 630 milionë. /Koha.net


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *