Sindikata e Punëtorëve të RTK-së ka njoftuar se nga e hëna, stafi do të nisë një grevë të përgjithshme, e cila do të zgjasë çdo ditë nga ora 11:00 deri në 13:00.
Gjatë këtyre orëve, do të pezullohen të gjitha aktivitetet në të gjithë sektorët, përfshirë redaksitë, administratën dhe teknologjinë. Sipas Sindikatës, ky vendim është marrë pas një periudhe të gjatë të kërkesave të paplotësuara dhe një situate të paqëndrueshme që ka prekur si stafin ashtu edhe funksionimin e vetë institucionit.
Ndërprerja e pagave dhe rreziku për vazhdimësinë e RTK-së janë shqetësime kryesore. Sindikatat kanë kërkuar nga menaxhmenti i RTK-së një vendim të qartë për të mos mbuluar fushatën zgjedhore, dhe në mungesë të një reagimi, paralajmërohet bojkotim i zgjedhjeve.
Greva do të pasohet me një protestë para Qeverisë, ndërsa kërkohet ndërhyrja e menjëhershme e Ministrisë së Financave për zgjidhjen e situatës. Bashkimi i punonjësve konsiderohet i domosdoshëm për mbrojtjen e të drejtave dhe funksionimin normal të RTK-së.

Leave a Reply