Ushtruesi i detyrës së ministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka kërkuar nga ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, që të marrë masa ndaj Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Njazi Rexha.
Kjo kërkesë vjen pasi Rexha urdhëroi ndërprerjen e përkohshme të numërimit të votave në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicën e Jugut. Ngjarja ndodhi pas mesnate më 11 tetor 2025, kur Prokuroria Themelore në Mitrovicë vendosi të ndalojë procesin e numërimit të votave për balotazhin e zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Mitrovicës së Jugut.
Ky veprim u justifikua me raportime për parregullsi teknike nga komisionerët, megjithëse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte ofruar shpjegime të mjaftueshme lidhur me problemet teknike të fletëvotimeve. Fillimisht, çështja i ishte caktuar prokurorit Shpëtim Peci, por më pas Njazi Rexha e mori në kompetencë pa dhënë shpjegime.
Sallahu ka kërkuar ndërmarrjen e masave të menjëhershme për të shmangur dëmtimin e procesit zgjedhor të planifikuar për 9 nëntor në Mitrovicën e Jugut.

Leave a Reply