Partia Demokratike e Kosovës (PDK) mbajti Konventën e saj, ku Bedri Hamza u zgjodh kryetar i ri pa asnjë votë kundër.
Megjithatë, ky organizim i shpejtë, i përfunduar brenda pesë ditësh, ka ngjallur kritika brenda partisë. Deputeti Enver Hoxhaj shprehu pakënaqësi ndaj ish-kryetarit Memli Krasniqi për moszgjatjen e afatit të Konventës, duke theksuar se duhej të shtyhej për të paktën një javë për të garantuar një proces të drejtë.
Në analizën e tij, profesori Nexhemedin Spahiu vlerësoi se sfida kryesore e Bedri Hamzës do të jetë menaxhimi i konflikteve të brendshme të PDK-së, të cilat kanë vazhduar ndër vite. Sipas tij, pavarësisht strukturës zyrtare, Sami Lushtaku është “kryetar faktik”, ndërsa Ramiz Lladrovci mbetet rivali kryesor politik.
Spahiu vuri në dukje se përpjekjet e mëparshme për të menaxhuar këto tensione, fillimisht nga Enver Hoxhaj dhe më vonë nga Memli Krasniqi, nuk kanë pasur sukses. Ai sugjeroi se Bedri Hamza, me reputacionin e tij si figurë pajtuese, mund të sjellë stabilitet në parti.
Sipas tij, aftësia e Hamzës për të mbajtur të bashkuara fraksionet e forta brenda PDK-së do të jetë vendimtare për të ardhmen e partisë.

Leave a Reply