Në Kopenhagë po zhvillohet Konferenca Evropiane për Inteligjencën Artificiale dhe Arsimin, organizuar nga Unioni Evropian i Sindikatave të Arsimit (ETUCE).
Ky event ka mbledhur përfaqësues nga sindikatat arsimore të mbarë Evropës, përfshirë edhe Kosovën, ku Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës përfaqësohet nga Vjollca Shala dhe Ymer Ymeri. Konferenca, e cila zgjat nga 7 deri më 8 tetor 2025, u hap nga kryetari i ETUCE-së, John MacGabhann.
Ai theksoi rolin e rëndësishëm që kanë sindikatat në adresimin e sfidave të digjitalizimit dhe integrimit të Inteligjencës Artificiale në arsim. Përfaqësuesit danezë, Anders Bærholm Frikke dhe Lasse Bjerg Jørgensen, theksuan rëndësinë e bashkëpunimit për të garantuar se transformimi digjital përmirëson cilësinë e arsimit dhe kushtet e punës, pa thelluar pabarazitë.
Jelmer Evers, drejtori i ETUCE-së, prezantoi iniciativat për përdorimin etik të AI-së dhe strategjitë sindikale për mbrojtjen e të drejtave të mësimdhënësve. SBASHK-u, nga ana e tij, po kontribuon aktivisht në diskutime, duke ndarë përvojat e Kosovës dhe perspektivat mbi reformat digjitale.

Leave a Reply