Seanca e ardhshme për çështjen e sulmit në Ibër-Lepenc më 16 shkurt

Gjykata Themelore e Prishtinës ka planifikuar seancën e ardhshme për rastin e shpërthimit në kanalin Ibër-Lepenc në Varagë të Zubin-Potokut për datën 16 shkurt 2026.

Kjo datë u konfirmua nga zëdhënësja e gjykatës, Mirlinda Gashi. Të akuzuar për këtë ngjarje janë vëllezërit Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq, së bashku me Igor Dimoviqin.

Në seancën hapëse të mbajtur më 24 dhjetor 2025, avokati i Jovan Viqentijeviqit, Nebojsha Vllajiq, kërkoi përjashtimin e prokurorit Kodraliu, kërkesë e mbështetur nga avokatët e të tjerëve, duke bërë që seanca të ndërpritej. Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë më 9 dhjetor 2025 për sulmin që ndodhi më 29 nëntor 2024, ku u përdorën rreth 20 kilogramë TNT, duke dëmtuar strukturën e kanalit dhe shkaktuar dëm të konsiderueshëm.

Akuza përfshin edhe armëmbajtje pa leje dhe spiunazh ndaj J.V., i cili dyshohet për bashkëpunim me Shërbimin Informativ Ushtarak të Serbisë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *