Gjykata Themelore në Prishtinë po vazhdon procesin gjyqësor për rastin Banjska, ku të akuzuar janë Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq.
Seanca e sotme, e cila filloi me vonesë prej një ore, u ndërpre pasi dëshmitarja Dragana Antonijeviq nuk ishte e pranishme. Edhe pse ftesa i është dorëzuar dy herë nga babai i saj, ai konfirmon se Antonijeviq ndodhet në Serbi.
Prokurori special Naim Abazi, duke marrë parasysh refuzimin e dëshmitares për të marrë pjesë pa arsye ligjore, ka kërkuar që deklarata e saj të lexohet si dëshmi. Ky propozim u miratua nga trupi gjykues.
Për dëshmitarin tjetër, Goran Tanevski, përpjekjet për lidhje video me Gjykatën e Shkupit nuk u realizuan për arsye teknike, duke mbajtur kështu mundësinë e dëshmisë së tij të hapur për seancat e ardhshme. Seanca e radhës është planifikuar për 16 janar, duke nisur nga ora 09:30.

Leave a Reply