Seanca për manipulim votash anulohet, mungon kryetari i trupit gjykues

Seanca e planifikuar për këtë të premte në Gjykatën Themelore në Prishtinë nuk u mbajt për shkak të mungesës së gjykatësit Vesel Ismaili, i cili kishte arsye familjare për të mos qenë i pranishëm.

Të akuzuar për falsifikim të votave në zgjedhjet e vitit 2021 janë Arbër Krasniqi, Përparim Përvetica, Ilirjan Hysenaj dhe Sahit Mataj. Më herët, më 13 nëntor 2023, Gjykata kishte veçuar procedurën për Granit Halilaj dhe Dardan Gashi, të cilët pranuan fajësinë.

Halilaj u dënua më 14 nëntor 2023 me një vit burgim me kusht, ndërsa Gashi mori një dënim të ngjashëm me ndalim për 12 muaj në administratë publike. Gjykata ka veçuar gjithashtu procedurën për ish-deputetin Haxhi Shala, për shkak të një procesi tjetër gjyqësor në Hagë.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër të akuzuarve, përfshirë edhe ish-deputetin Shala dhe të tjerët, për manipulim të rezultateve zgjedhore për të favorizuar Meliza Haradinaj-Stublla dhe Haxhi Shala.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *