Seanca gjyqësore e së martës në Gjykatën Themelore të Prishtinës për rastin e ish-kryeshefit ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, u ndërpre për shkak të mungesës së dëshmitarit Skender Muqolli.
Muqolli, i cili është udhëheqës i Departamentit të Tregut të Energjisë në Zyrën e Rregullatorit për Energji, lajmëroi përmes emailit se nuk do të paraqitej për arsye shëndetësore, njoftoi kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti. Nagip Krasniqi akuzohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Aktakuza pretendon se, nga tetori 2021, Krasniqi lejoi që kompania sllovene “Holding Slovenske Elektrane” të tregtonte energji në Kosovë pa licencë nga ZRrE, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme financiare shtetit dhe favorizuar padrejtësisht këtë operator. Në aktakuzë theksohet se veprimet e Krasniqit kanë shkaktuar një dëm të madh financiar për KEK-un, si dhe kanë diskriminuar operatorët e tjerë të licencuar në tregun kosovar.
Prokuroria gjithashtu akuzon Krasniqin për vazhdimin e tregtimit me operatorë të palicencuar, pavarësisht vërejtjeve të ZRrE-së.

Leave a Reply