Ricardo Gutiérrez, Sekretar i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, ka reaguar ndaj komenteve të bëra nga një anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Ky anëtar i ka quajtur gazetarët kriminelë dhe ka përmendur Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK) si objekt kritikash. Gutiérrez i ka bërë thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që të ndërpresë menjëherë fushatën e shpifjeve ndaj gazetarëve.
Ai theksoi se qëndrimet e tilla të toleruara nga Kurti janë një dëm i madh për gazetarët dhe besueshmërinë e tyre. Në një postim publik, Gutiérrez kritikoi ashpër Sami Kurteshin për përshkrimin e AGK-së si një “aleancë grupesh kriminale”, duke e quajtur këtë një krahasim të pandershëm dhe të padenjë.
Sipas tij, është e papranueshme që një organizatë e respektuar si AGK të etiketohet në këtë mënyrë. Ai paralajmëroi se nëse këto praktika denigruese vazhdojnë, ato mund të çojnë në pasoja të rënda për gazetarët, duke përfshirë abuzimin dhe sulmet fizike.
Gutiérrez i ka bërë thirrje Kurtit të marrë masa për të ndalur këtë klimë armiqësore ndaj gazetarëve.

Leave a Reply