Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka raportuar se, pas kontrolleve të vazhdueshme, është konfirmuar prania e sëmundjes PPR (Murtaja e ruminantëve të vegjël) në fshatin Landovicë, në Komunën e Prizrenit.
Pas hetimeve diagnostike në terren dhe zbatimit të masave për kontrollin e sëmundjes, Laboratori i Ushqimit dhe Veterinarisë ka konfirmuar një rast të PPR në një fermë dele në këtë fshat.
Kjo sëmundje nuk është zoonotike, që do të thotë se nuk paraqet rrezik për shëndetin e njerëzve dhe nuk transmetohet nga kafsha te njeriu. Megjithatë, ajo shkakton dëme të konsiderueshme në shëndetin e kafshëve, rrit ngordhshmërinë dhe ndikon rëndë në ekonominë blegtorale, sipas njoftimit.
Masat e ndërmarra nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë për parandalimin e përhapjes së PPR-së përfshijnë: kontrollin dhe mbikëqyrjen e vazhdueshme në zonën e prekur, asgjësimin e kafshëve të infektuara, kufizimin e lëvizjes së kafshëve në zona të tjera, si edhe informimin dhe bashkëpunimin me fermerët lokalë.
“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) bën thirrje për fermerët dhe qytetarët që të kenë bashkëpunim të ngushtë me shërbimet veterinare. Në momentin që identifikohen shenja klinike si temperaturë e lartë, rrjedhje nga hunda dhe sytë, diarre, pneumoni apo kollitje e vazhdueshme, duhet të raportojnë menjëherë te organet kompetente.
Për fermerët: Respektojini masat dhe udhëzimet e inspektorëve dhe veterinerëve zyrtarë. Mos blini kafshë nga ferma të tjera pa e ditur statusin shëndetësor të tyre.
Vetëm përmes bashkëpunimit të ndërsjellë mund të parandalojmë përhapjen e kësaj sëmundjeje dhe të mbrojmë blegtorinë tonë”, thuhet në njoftim.

Leave a Reply