Dy senatorë amerikanë, Thom Tillis nga Partia Republikane dhe Jeanne Shaheen nga Partia Demokratike, kanë paraqitur një amendament në Kongresin e SHBA-së, që synon njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, duke refuzuar çdo politikë që mbështet ndryshimet e kufijve mes tyre.
Dokumenti, i datës 6 shtator, sugjeron mbështetje për një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes dy vendeve, e bazuar në njohjen reciproke. Ai gjithashtu kërkon që SHBA të nisë dialogë strategjikë me Kosovën dhe Serbinë, pas angazhimit të tyre për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.
Ky amendament është pjesë e një projektligji për buxhetin e mbrojtjes amerikane për vitin 2026. Ai adreson marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë dhe përfshin pozicionin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, duke theksuar rëndësinë e paqes dhe stabilitetit në rajon për mirëqenien e Europës.
Kongresi vlerëson marrëveshjen e arritur më 27 shkurt 2023 nën ndërmjetësimin e BE-së si një hap pozitiv drejt normalizimit dhe kërkon përparim të menjëhershëm në zbatimin e saj. SHBA-ja shpreh qëndrimin e saj kundër rishkrimit të kufijve mbi baza etnike dhe në favor të demokracive pluraliste në rajon.

Leave a Reply