Në Beograd, më 26 tetor, u mbajt Asambleja themeluese e Shoqatës Historike Ruse, ku Aleksandar Vulin, kryetar i Këshillit të degës së Beogradit të kësaj shoqate, shprehu mbështetjen për një “botë serbe” dhe aleancën me Rusinë dhe Kinën.
Vulin, një figurë e njohur për qëndrimet e tij proruse, deklaroi se lidhjet me Rusinë janë thelbësore për Serbinë. Ai kritikoi çdo përpjekje për rishikim të historisë dhe theksoi rëndësinë e ruajtjes së “vërtetësisë historike” për popullin serb dhe rus.
Në këtë ngjarje morën pjesë personalitete si ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq, dhe patriarku Porfirije. Ambasadori rus në Serbi, Aleksandar Bocan-Harçenko, e quajti hapjen e shoqatës një mesazh të rëndësishëm politik.
Shoqata Historike Ruse, e themeluar nga Akademia Ruse e Shkencave dhe mediat shtetërore, synon forcimin e lidhjeve historike mes dy vendeve, duke përfshirë rindërtimin e muzeve në territoret e okupuara të Ukrainës. Vulin dhe drejtori i Shërbimit të Jashtëm të Inteligjencës së Federatës Ruse, Sergej Narishkin, kanë zhvilluar disa takime që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës.

Leave a Reply