Shala nga IKD: Gjykata Kushtetuese mund të vonojë vendimin, kuvendi mbetet i paplotësuar pa nënkryetarë

Masa e përkohshme e caktuar nga Gjykata Kushtetuese mbaron sot.

Që nga data 5 shtator, kjo masë ka pezulluar të gjitha veprimet dhe vendimet e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, përfshirë edhe procedurat për formimin e qeverisë.

Gzim Shala nga Instituti Kosovar për Drejtësi thekson se ka raste kur është vendosur që të zgjatet afati i kësaj mase të përkohshme.

‘’Duke marrë parasysh se Gjykata Kushtetuese ka caktuar këtë afat kohor, është e arsyeshme të pritet që sot të merret një vendim meritor nga Gjykata Kushtetuese. Gjithsesi, bazuar në praktikat e mëparshme të Gjykatës Kushtetuese, ka pasur raste kur është marrë një vendim i ri për shtyrjen e afatit të masës së përkohshme’’, thotë Shala për Indeksonlinen.

Gjithashtu, sipas Shalës, kuvendi nuk mund të konsiderohet i konstituuar pa zgjedhjen e të gjithë nënkryetarëve të tij.

Shala shton se procedura e zgjedhjes së nënkryetarëve nga komunitetet jo-shumicë ishte në kundërshtim me Kushtetutën.

‘’Në lidhje me konstituimin e kuvendit, IKD-ja ka deklaruar vazhdimisht se kuvendi nuk mund të konsiderohet i konstituuar pa zgjedhjen e të gjithë nënkryetarëve. Procedura e zgjedhjes së nënkryetarëve nga komunitetet jo shumicë ishte në kundërshtim me Kushtetutën, e cila kërkon që nënkryetarët të votohen në pako’’, shprehet Shala për Indeksonlinen.

Gjykata Kushtetuese duhet të urdhërojë përsëritjen e votimit për nënkryetarët nga komunitetet jo shumicë, duke kërkuar votim në pako për të dy nënkryetarët, shton Shala nga IKD-ja.

Shala pohon se vetëm pas zgjedhjes së të gjithë nënkryetarëve sipas rregullave kushtetuese, Kuvendi mund të konsiderohet i konstituuar, duke hapur rrugën për formimin e institucioneve.

Në lidhje me respektimin e vendimit të gjykatës, Shala thekson se moszbatimi i një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese paraqet mosrespektim të Kushtetutës.

‘’Prandaj, partitë politike duhet të shmangin çdo veprim që nënkupton moszbatimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Është me rëndësi që partitë politike të mos sabotojnë zbatimin e aktgjykimit përmes veprimeve politike. Në këtë kontekst, partitë duhet të veprojnë me sinqeritet dhe mirëbesim për të dalë nga kriza institucionale’’, përfundon Shala.

Lista Serbe ka dorëzuar ankesë në Kushtetuese për veprimin e kreut të ri të kuvendit, Dimal Basha, i cili shpalli organin ligjvënës të konstituuar pa zgjedhjen e nënkryetarit nga minoriteti serb.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *