Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe vendosën të premten të heqin sanksionet ndaj presidentit sirian, Ahmad al-Sharaa, një ditë pasi Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara mori të njëjtin vendim.
Kjo erdhi në prag të takimit të planifikuar të presidentit sirian me presidentin amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë javën e ardhshme. Edhe Bashkimi Evropian ka njoftuar se do të ndjekë këtë shembull.
Përveç presidentit, Uashingtoni dhe Londra hoqën sanksionet edhe ndaj ministrit të Punëve të Brendshme të Sirisë, Anas Khattab, siç njoftohet në faqet zyrtare të internetit të këtyre vendeve, raporton agjencia “Reuters”. Të dy zyrtarët sirianë ishin më parë nën sanksione që synonin grupet si ISIS dhe al-Qaeda.
Një zëdhënës i Bashkimit Evropian deklaroi se vendimi i Kombeve të Bashkuara do të reflektohet në politikat e BE-së. Ndërkohë, Britania kishte hequr disa sanksione më parë në prill, ndërsa BE-ja hoqi sanksionet ekonomike në maj, por masat lidhur me armët mbeten aktive.
Presidenti Trump synon marrëdhënie të mira me Sirinë dhe kishte hequr shumicën e sanksioneve në qershor.

Leave a Reply