Departamenti i Thesarit i Shteteve të Bashkuara ka hequr sanksionet ndaj ish-udhëheqësit të serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, dhe anëtares së Presidencës së Bosnjës, Zhelka Cvijanoviq.
Përveç tyre, lista e zezë është pastruar edhe nga anëtarët e familjes së Dodikut, kompanitë e tyre dhe bashkëpunëtorët. Dodik, i cili drejton Aleancën e Social Demokratëve të Pavarur, kishte qenë subjekt i sanksioneve për shkelje të Marrëveshjes së Dejtonit.
Në të njëjtën kohë, edhe 48 individë dhe subjekte juridike që ishin sanksionuar më parë sipas Programit të Sanksioneve për Ballkanin Perëndimor u hoqën nga lista. Javët e fundit, Zyra për Kontrollin e Aseteve të Huaja (OFAC) hoqi sanksionet për katër individë nga Republika Sërpska, që kishin organizuar festimet e 9 janarit, një datë e kontestuar.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Republika Sërpska kishte nënshkruar një kontratë me firmën ligjore amerikane “Zell & Associates International Advocates” për të lobuar në SHBA lidhur me sanksionet kundër Dodikut dhe Cvijanoviqit, dhe për të rishikuar Marrëveshjen e Dejtonit. Këto kontrata kanë kushtuar dhjetëra mijëra dollarë në muaj.

Leave a Reply