Administrata e presidentit Donald Trump ka anuluar kandidaturën e Mark Brnovichit për postin e ambasadorit në Serbi, sipas një njoftimi të Komisionit të Senatit për Punë të Jashtme.
Arsyeja e tërheqjes së kandidaturës së Brnovichit, i cili është 58 vjeç, nuk është bërë e ditur publikisht. Pas këtij vendimi, Brnovich ka shprehur shqetësimin e tij, duke akuzuar “shtetin e thellë” për kundërshtimin e kandidaturës së tij, raporton nova.rs.
Ai ka falënderuar presidentin Trump për nominimin, por ka theksuar se ndërhyrjet burokratike kanë penguar avancimin e procesit. Në këtë situatë, Brnovich e sheh më të arsyeshme të qëndrojë pranë familjes dhe të angazhohet në politikën lokale të Arizonës.
Ndërkohë, kandidatura e tij u dërgua me shpejtësi në Komisionin e Senatit, por Brnovich nuk u paraqit për konfirmim. Kujtojmë që emërimi i tij u bë në fund të marsit, ndërsa pozicioni i ambasadorit në Beograd është vakant që nga janari, kur Christopher Hill u largua nga posti.

Leave a Reply